Një çift bashkëshortor për gjashtëdhjetë vite me radhë i tregonte njëri-tjetrit çdo gjë dhe ishin të lumtur duke biseduar dhe duke i shërbyer njëri-tjetrit. Ndërmjet tyre nuk ekzistonte asgjë e fshehtë, mirëpo gruaja e moshuar kishte fshehur një sënduk mbi raft. Ajo e këshillonte bashkëshortin e saj gjithnjë që mos ta hapte atë dhe mos ta pyeste rreth atij sënduku. Bashkëshorti i respektonte dëshirat e saj dhe asnjëherë nuk u interesua për çështjen e kutisë, deri në momentin kur bashkëshortja u sëmur dhe mjeku i tha se ditët e saj ishin të numëruara.

Bashkëshorti i pikëlluar filloi të bëhej gati që të jetonte i ve dhe filloi t’i vendoste gjërat e saj në çanta, që t’i ruante si kujtime. Syri i tij u drejtua nga sënduku, e mori atë dhe shkoi te shtrati ku ishte e shtrirë gruaja e tij e sëmurë. Sapo e pa sëndukun, ajo nisi të buzëqeshte me dhembshuri dhe i tha atij: “Në rregull, mund ta hapësh sëndukun.” Burri e hapi sëndukun dhe brenda tij gjeti dy kukulla pëlhure, një gjilpërë qepje dhe nën to një shumë të hollash prej 30 mijë dollarësh.

Burri e pyeti se çfarë janë ato dhe guraja me një pëshpëritje tha:
“Kur u martova, gjyshja ime më tregoi se sekreti i një martese të suksesshme qëndron në evitimin e sherreve dhe grindjes. Gjithashtu më këshilloi që sa herë që të zemërohem me ty, ta fsheh zemërimin dhe të qendis një kukull me gjilpërë.”
Në këto çaste, burri shumë i prekur, fliste me veten:
“Vetëm dy kukulla? Vetëm dy herë e kam zemëruar atë gjatë gjashtëdhjetë viteve bashkë?!”

Edhe pse ishte shumë i pikëlluar për faktin se bashkëshortja e tij ishte e shtrirë në shtrat duke pritur vdekjen, ai u ndje i lumtur sepse e kishte zemëruar atë vetëm dy herë.
Pastaj e pyeti:
“Po mirë, mësova sekretin e dy kukullave, po si është puna e 30 mijë dollarëve?”
Ajo iu përgjigj:
“Kjo është shuma që kam mbledhur nga shitja e kukullave.”