Të shtunën me një ceremoni solemne Univerziteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup kurrorëzoi punën e suksesshme trevjeçare, si universiteti i parë publik në gjuhën shqipe në Shkup,  arriti ditën e shumëpritur të hedhjes së kapelave të brezit të parë të studentëve në nivel Bachelor, programi 3 vjeçar.

Ceremonia e hedhjes së kapelave paraqet një hap të madh për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, sepse që nga themelimi i UNT-së në vitin 2016, kjo është gjenerata e parë që zyrtarisht veshi togat hodhi kapelet. Gjenerata 2016 – 2019 është e para që hapëron në shoqëri,  të pajisur me njohuri dhe përvojë të fituar në UNT.

Me prezencën e tyre, UNT-në dhe studentët u respektuan kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, zv.kryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani dhe kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, të cilëve rektori i UNT-së, Azis Pollozhani u ndau mirënjohje me motivacionin ‘Për kontributin e dhënë në themelimin dhe konsolidimin e Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup’.

Në ceremoni kishte prani të madhe të mediave, gjë e cila u vlerësua nga UNT, edhe përskaj faktit se shumica dërmuese e tyre nuk vendosën të informojnë qytetarët  dhe nuk dhanë lajmin e ceremonisë.

Numri i studentëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, të Fakultetit Shkencave të Informatikës, Fakultetit të Shkencave Teknike, Fakultetit të Shkencave Teknologjike dhe Fakultetit të Shkencave Sociale, nga viti 2016 kur u rregjistruan 218 studentë, është rritur në 1500 që do të thotë se interesi ngadalë dhe në mënyrë të qëndrueshme është në rritje, duke krijuar hapësirë për forcimin e objektivave të Universitetit “Nënë Tereza “Në Shkup.