Sot (25.06), sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z.Valmir Aziri u prit në takim nga kryetari i komunës së Ulqinit, z.Loro Nrekiq.
Në takim u bisedua për thellimin e bashkëpunimit mes komunës së Ulqinit dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku sekretari Aziri e njoftoi z.Nrekiq për themelimin e Ansamblit shtetëror të këngëve dhe valleve popullore shqiptare në RMV si dhe për aktivtetet e ndryshme që organizohen nga ana e Ministrisë së Kulturës, gjithashtu edhe kryetari Nrekiq e njoftoi sekretarin Aziri për aktivtetet e ndryshme kulturore që organizohen në komunën e Ulqinit siç janë Panairi i Librit, Kolonia Artisike dhe shumë aktivitete tjera.
Gjatë takimit, që të dyja palët erdhën në përfundim që në të ardhmen duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë e bashkëpunimit mes komunës së Ulqinit dhe Ministrisë së Kulturës, duke përfshirë kështu edhe komunat shqiptare të Republikës së Maqedonisë së Veriut si komunën e Çairit, Gostivarit, Tetovës dhe të tjera.

Si përfundim, sekretari Aziri dhe kryetari Nrekiq arritën marrëveshje për të inicuar Koloni Artistike nga Unioni i komunave shqiptare duke u nisur nga Shkupi, Tirana, Prishtina, Ulqini, Tetova e Presheva. Poashtu, u arrit marrëveshje që botuesit shqiptarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut të marrin ftesë nga komuna e Ulqinit për të qenë pjesë e panairit tradicional i cili tash e 20 vite mbahet në këtë komunë. Gjithashtu, sekretari Aziri gjatë qëndrimit dy ditorë në Mal të Zi realizoi takime pune edhe me ministrin e Kulturës të Malit të Zi, z. Aleksandar Bogdanoviq si dhe ministrin e Kulturës të Sllovenisë, z. Zoran Pozniç me të cilët u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut.