Mëngjesin e sotëm kanë rifilluar përleshjet e armatosura midis qeverisë libiane të njohur nga OKB-ja dhe forcave rivale të saj të lidhura me gjeneralin Khalifa Haftar në qarkun jugor të kryeqytetit Tripoli.

Përleshjet më të ashpra raportohen në rrugën e aeroportit dhe zonën al-Khula, ndërsa shpërthimet janë dëgjuar në rrethe të ndryshme të lagjes.

Të mërkurën vonë, avionët luftarakë të gjeneralit Haftar goditën forcat e qeverisë së njohur nga OKB-ja, të përqendruar në dy zonat Mashrou al-Moz dhe Ain Zara, në jug të Tripolit.

Forcat e qeverisë së njohur nga OKB-ja njoftuan se kanë shkatërruar një tank të forcave të gjeneralit Haftar.

Forcat e Haftarit deri tani kanë qenë të pasuksesshme në përpjekjet për pushtimin e Tripolit nga Qeveria e njohur nga Kombet e Bashkuara në një ofensivë që filloi në prill.

Megjithatë, forcat e tij mbajtën pozicionet në disa zona përreth kryeqytetit.

Libia është zhytur në trazira që nga viti 2011, kur sundimtari Muamar Gadafi u rrëzua nga pushteti dhe u vra në një kryengritje të mbështetur nga NATO pas katër dekadash në pushtet.

Vendi i pasur me naftë që nga ajo kohë ka mbetur peng i dy qeverive rivale. Njëra në lindje të Libisë, me të cilën udhëheq gjenerali Haftari dhe qeveria e njohur nga Kombet e Bashkuara me seli në Tripoli.