Kryeministri, Edi Rama, i ka dërguar një letër të tretë publike kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës.

Duke i kërkuar që të shkëputet nga mllefi kreu i qeverisë fton kryedemokratin që të ulen pa kushte në tryezën e dialogut për të zgjidhur krizën politike që ka mbërthyer vendin prej më shumë se tre muaj. Në letër, Rama rithekson se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor.

“Ju s’keni asnjë shans të pengoni 30 qershorin të vijë për ata që duan të votojnë. Asnjë shans të ndryshoni qeverinë pa zgjedhje. Asnjë shans të më ndaloni mua dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë të kryejmë misionin historik të transformimit europian të Shqipërisë”.

Por, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk i ka kthyer përgjigje drejtpërdrejtë ftesës së kryeministrit Rama për të dialoguar. Nëpërmjet thirrjes për pjesëmarrje në protestën e nesërme, kryedemokrati njofton se nuk do të hidhet asnjë hap pas.

 “Të gjithë në Tiranë nesër, për të treguar vendosmërinë tonë për liri, për demokraci, për zgjedhje të lira e një qeveri nga populli, të popullit dhe për popullin, për Shqipërinë si e gjithë Europa”,- shkruan Basha në Facebook.

Një deklaratë e fortë ka ardhur si kundërpërgjigje nga presidenti, Ilir Meta. Në Twiter, kreu i shtetit, Ilir Meta, ka deklaruar se është i gatshëm të rishikojë dekretin presidencial që ka përcaktuar datën 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve vendore. Përmes një reagimi, Meta ka theksuar se për zgjidhjen e krizës është i gatshëm të sakrifikojë edhe mandatin e tij.

Ndërkohë, misioni i OSBE-ODIHR ka zbarkuar sot në Tiranë, ku ka deklaruar se nuk i ka ndodhur asnjëherë të vëzhgojë zgjedhje, ku opozita nuk ka marrë pjesë. Megjithatë, ky mision konfirmoi se do të vazhdojë të bëjë vëzhgimin teknik të procesit edhe nëse do të ndodhe një situatë e tillë.