Në sallë pothuaj të zbrazët, me disa deputetë nga partitë greke, dhjetë minuta pas orës 16 sipas kohës lokale filloi debati në seancë plenare në Parlamentin grek për ratifikimin e dy marrëveshjeve të nënshkruara në mars dhe prill në Shkup për hapjen e vendkalimeve të reja në Majden dhe Markova noga, si dhe për ngritjen e Zyrës për lidhje në Shkup në nivel të ambasadës dhe të Zyrës për punë konsullore, ekonomike dhe tregtare në Manastir në nivel të Konsullatës së përgjithshme, pasi dje Komisioni për siguri kombëtare dhe çështje të jashtme i ka pranuar projekt ligjet e parashtruara nga MPJ-ja greke.

Nënkryetarja e Parlamentit, Tasia Hristodullopullu i ka përsëritur pozitat e partive për marrëveshje konkrete, ashtu siç janë shprehur dje në Komision. SYRIZA dhe Potami janë “për”, Demokracia e Re dhe Agimi i Artë kundër, Aleanca Demokratike nuk e kumtoi qëndrimin, Partia Komuniste e Greqisë është e përmbajtur, ndërsa Aleanca e centralistëve mungon.

Hristodullopullu kërkoi që të mbajnë fjalime ata deputetë të cilët kanë ankesa ose nuk pajtohen me ligjet e propozuara.

I pari për fjalë u paraqit përgjegjësi për politikë të jashtme në Demokracinë e Re opozitare, deputeti Jorgos Kumucakos, por u pendua pasi vërejti se janë të zbrazëta ulëset qeveritare.

“Ku është qeveria? Ku është ministrja?”, pyeti Kumucakos dhe tha se do të pret të vijë ministrja alternative e punëve të jashtme, Sia Anagnostopullu.

Ai që nuk deshi të prit, ishte deputeti nga Agimi i Artë, Hristos Papas, i cili i pari mbajti fjalim dhe sqaroi se pse ata janë kundër marrëveshjes, duke thënë se “nuk ekziston shtet me emër Maqedonia e Veriut”.