Maren Hoxha rrëfen pikërisht nga vendi ku u vra, arsyet që ia paracaktuan këtë fat. “Trending ishte në Petrelë”, pikërisht në vendin e krimit për të sjellë historinë. Me siguri që tashmë e keni kuptuar, një i vdekur nuk mund të flasë, kjo është e mundur vetëm nëse ai është vrarë në film. Bëhet fjalë për filmin aksion kinezo-shqiptar “Balkan Blood”.

Maren Hoxha, aktor protagonist në këtë film rrëfen për “Trending” se xhirimet e filmit janë realizuar në Petrelë dhe kanë zgjatur për më shumë se 1 muaj. Ky film është i rëndësishëm për të pasi është i pari ku ka një rol protagonist, ndërsa emocionues për të është fakti që luan përkrah të vëllait.

Pikërisht në vendin ku vritet në film, Mareni na thotë: “Ndihem gjallë”. Ai është një i ri me energji dhe ide të qarta. Edhe pse familja e tij jeton në Amerikë, Mareni thotë se nuk do të largohet nga Shqipëria pa u kompletuar si aktor.

I lumtur që ka pasur fatin të përzgjidhet në këtë film, ai tregon se kinematografia shqiptare më tepër se art, është biznes. Ndërsa vlerëson tej mase filmat e realizuar në Shqipëri para viteve ’90.

Për filmin nuk kemi çfarë të flasim më shumë, ju mbetet të dëgjoni Marenin teksa tregon detajet dhe ta shikoni në kinema.