Të shtunën në ceremoninë solemne të Bienales, pavijoni i Lituanisë “Sun & Sea (Marina)” me autore artistet Lina Lapelyte, Vaiva Grainyte dhe Rugile Barzdziukaite ka fituar “Luanin e artë” për pavijonin më të mirë midis 89 përfaqësimeve shtetërore. Kjo është hera e dytë që performancat triumfojnë në Bienalen e Venecias.

Më 2017 pavijoni gjerman “Faust” nëpërmjet përformancës që fuste njerëzit midis një hapësire ku mbaheshin të izoluarit që ruheshin edhe me qen, kishte fituar vendin e parë. Sa u përket prezantimeve individuale në ekspozitën e përgjithshme “Të jetosh në kohë interesante”, “Luani i artë” i ka takuar artistit e kinematografit amerikan, Arthur Jafa. Filmi i tij prej 50 minutash titullohet “The White Album”, (Albumi i bardhë) në të cilin ai paraqet një hulumtim për marrëdhëniet racore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Catherine Wood, një prej kuratoreve të njohura të artit bashkëkohor, pavijonin fitues e ka përshkruar si një mënyrë të mençur të përballjes së njerëzve me realitetin e përditshëm siç janë ndryshimet klimatike në nivel global. E kuratorja e pavijonit fitues, Lucia Pietroiusti, ka thënë se ky projekt kishte filluar nga një performancë teatrore në Lituani. Ajo ka inkurajuar muzetë e artit bashkëkohor që nëpërmjet ideve të dalin jashtë limiteve të deritashme.

Vepra fituese është përshkruar si një performancë e frikshme për ndryshimin e klimës.

Sivjet Kosova është përfaqësuar në Venecia nga artisti Alban Muja përmes veprës “Family Album” (Albumi familjar), ku nëpërmjet imazheve e rrëfimeve kthen në vëmendje të vizitorëve refugjatët e luftës së vitit 1998-1999. Siç ndodh prej vitit 2012, Kosova hap pavijonin e saj në hapësirën ekspozuese Arsenale.