Ambasadori francez Krisitijan Timonie në një intervistë për Alsat thekson nevojën për hetimin e plotë të rastit me qëllim të kthimit të besimit te drejtësia dhe institucionet. Timonie gjithashtu e shikon si zgjidhje të mirë shkrirjen e Prokurorisë Speciale në kuadër të Prokurorisë për Krim të Organizuar. Ai thotë se data e negociatave varet nga lufta kundër korrupsionit si dhe përmbushja e reformave.

Si e komentoni aferën e fundit që tronditi vendin, pra rastin “Reket” dhe pretendimet për përfshirjen e mundshme të krye-prokurores në dorëheqje Katica Janeva në këtë rast? A ka ndikuar kjo në zbehjen e kredibilitetit të këtij Institucioni në sytë e Brukselit?

Për ne ishte një goditje, nga e cila u stepëm, ashtu si edhe për opinionin publik maqedonas… Është e vështirë të parashikohen të gjitha rezultatet e mundshme në këtë moment. Megjithatë, konsiderojmë se bëhet fjalë për një rast të vështirë dhe shumë të rëndësishëm, sepse në kohën kur arritëm Marrëveshjen e Przhinos, edhe ne së bashku me përfaqësuesit e tjerë, ishim të pranishëm kur u krijua Prokuroria Publike Speciale. Ishte një element i rëndësishëm në drejtim të rivendosjes dhe rikthimit të kredibilitetit të shtetit dhe të gjyqësorit. Nga akuzat të cilat i dëgjojmë rreth kësaj çështjeje, mund të përfundohen dy gjëra: ose bëhet fjalë për shpifje, me ç ‘rast të njëjtat duhet të tërhiqen në interes të nderit të personit në fjalë, si dhe në interes të institucionit, ose bëhet fjalë për diçka që duhet të hulumtohet më thellë. Është e qartë se për të mirën e vendit, për hir të drejtësisë, duhet të mundësohet një hetim i plotë dhe real, në mënyrë që të mos ketë vend për shqetësime, të cilat do të ishin të dëmshme për të gjithë.

Qeveria propozon që Prokuroria Speciale të shkrihet në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe me të të udhëheq prokurorja Villma Ruskoska? A mendoni se zgjidhja që ofron qeveria është me e mira e mundshme për të ardhmen e prokurorisë dhe lëndëve që i hetonte?

Bëhet fjalë për diçka që ndodh realisht, jashtë institucionit, për çka kemi biseduar dhe përfundimet e përgjithshme të të cilave duhet të nxirren nga një këndvështrim praktik. Unë e kam theksuar tashmë se vetë prokuroria speciale, në vete mban një shkallë të caktuar të rrezikut. Do të ishte pozitive, sikur kompetenca e këtij institucioni të vendoset në radhën e sistemit gjyqësor të rregullt. Shumë analistë e kanë kërkuar këtë, siç e ka bërë edhe opozita. Ky është një kumt i mirë, gjegjësisht një shenjë e mirë, me ç ‘rast diskutimet dhe vërejtjet, që mund të ishin bërë në lidhje me këtë temë, si dhe ndoshta rreziqet që dolën në rastin më të fundit, mund të çojnë në rezultate pozitive. Po vijon diskutimi në Kuvend dhe kjo duhet të ndodhë në rrethana normale mes forcave politike. Natyrisht, që ka vërejtje që mund të jepen nga ekspertët. Ne ndodhemi në një fazë, kur duhet të zhvillohet diskutimi parlamentar, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për zgjidhjen e një çështjeje, por  për një kornizë gjyqësore, që është në interes të vendit, si dhe në interes të publikut. Duhet të kthehet në një farë mase kuptimi i shtetit, përgjegjësia dhe në veçanti t`i jepet fund asaj që quhet mosndëshkim. Dhe kjo është më e rëndësishme, sesa emrat e individëve. Sa i përket atyre, do të jetë e mundur të arrihet një marrëveshje mes forcave të ndryshme politike. Natyrisht, është e nevojshme të gjendet një person tek i cili të gjithë do të kenë besim, si në planin e brendshëm, po ashtu edhe në atë të jashtëm, sepse mund të sillen ligjet më të mira të botës dhe të ofrohen zgjidhjet më të mira në letër, por nëse përballemi me situata, si kjo që e kemi sot, nuk shoh ndonjë interes të madh. Mendoj se fokusi duhet të vihet në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme, që do të pranohet gjerësisht nga forcat aktuale politike.

Sa këto afera dhe mos gjetja ende e një zgjidhjeje mbi Prokurorinë Speciale mund të ndikojnë në vendimin e Francës sa i përket datës së negociatave?

Fillimisht, do të them një gjë të përgjithshme. Imazhi për Ballkanin, që mbizotëron në mesin e popullatës në Francë, është një imazh i një rajoni, në të cilin ndodh dhunë dhe ku ka korrupsion … Rastet për të cilat biseduam, për fat të keq nuk shkojnë në drejtim të përmirësimit të atij imazhi, i cili natyrisht nuk është i vetmi kur është fjala për këtë rajon, por duhet të nisemi nga ky këndvështrim. Gjëja e dytë, është ekzistenca e agjendës, së miratuar në qershor të vitit 2018, e cila duhej të shqyrtonte përparimin në sundimin e ligjit, në qershor 2019. Ajo nuk ishte e mundur, sepse Bundestagu gjerman, nuk ishte i përgatitur për të studiuar raportin e komisionit në një afat të shkurtër, që do të thotë se në tetor do të ketë një rishqyrtim të situatës. Ekziston një listë e plotë e pikave, që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, ndarjen e shtetit nga partia, reformat në administratë dhe fusha e mediave. Të gjitha këto pika, për fat të keq, janë në thelb të rastit për të cilin biseduam. Në të ardhmen, mbase mund të gjendet një zgjidhje për këto gjëra, brenda atij ligji. Unë mendoj se dy gjëra duhet të merren parasysh. E para, në lidhje me reketin, në lidhje me televizionin, lidhur me lidhjen e supozuar me politikanët, duhet parë se si këto çështje do të zgjidhen brenda atij rastit të parë konkret. Gjëja e dytë ka të bëjë me atë, se si do të jetë reagimi i forcave të përfshira politike, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, e cila do të rikthejë besimin në mesin e popullit këtu në Maqedoninë e Veriut, si dhe besimin tonë në sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës. Unë nuk mund të parashikoj për atë se çfarë përgjigjesh do të jepen. Ende ka kohë për të reaguar, për ta rikthyer atë besim, por është e sigurt që presim të bëhet diçka.

Krerët shtetëror në vend shprehen thuajse të sigurt se Maqedonia e Veriut në tetor do të marr datë për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë të njëjtin optimizëm apo siguri nuk e dëgjojmë nga zyrtarët e lartë francezë përfshirë edhe Presidentin Makron! Cili është qëndrimi i Parisit Zyrtar, a do të marr vendi datë këtë tetor?

Mund t’ju them se ende nuk është sjellë vendimi. Do të vendoset nga ana e shteteve anëtare, përmes një diskutimi konstruktiv, përmes të cilit do të maten meritat dhe mangësitë e agjendës, që folëm pak më parë. Ndoshta kjo do të jetë një mundësi për të thënë se pika jonë nismëtare, do të jetë ideja për gjendjen reale. Na është e njohur dëshira e juaj për Evropën. Ajo i bashkon pothuajse të gjitha komunitetet në Maqedoninë e Veriut dhe ne e respektojmë atë. Por ne duhet të kemi parasysh si pikënisje realitetin në vend. A është i gatshëm ai për negociata, a është gati të funksionojë shteti i së drejtës, a është apo jo hendeku i thellë mes gjërave në letër dhe atyre në realitet, a do të duhet kohë shtesë për përgatitjen e negociatave, në mënyrë që ato të jenë të dobishme. Përndryshe, ne nuk do flasim për gjendjen reale, por për dëshira, që do të thotë për iluzione. Ne besojmë në realitetin e së ardhmes evropiane të këtij vendi dhe për këtë arsye realiteti duhet të jetë pika fillestare, andaj edhe e presim këtë në ditët që vijojnë. Le të shohim elemente, që do të tregojnë dhe dëshmojnë se shteti i së drejtës është në gjendje t`i përgjigjet krizës, siç e kemi në rastin e reketit, si dhe gjithashtu të shohim se forcat politike janë në gjendje të gjejnë një gjuhë të përbashkët, përmes sugjerimeve konstruktive, në mënyrë që në të ardhmen, të mund të shmangen sa më shumë situata të këtilla, të cilat me të vërtetë nuk japin një përshtypje të mirë që bëhet fjalë për model evropian. E ardhmja është në Evropë dhe në atë të ardhme, kuptohet që, Franca do të jetë pranë jush.