Milani po kalon ditë vendimtare sa i përket të ardhmes në postet e larta drejtuese. Drejtori teknik aktual, braziliani Leonardo po reflekton mbi të ardhmen e tij dhe nuk përjashtohet mundësia e largimit pas ndeshjes së fundit të sezonit, atë të së dielës ndaj Spalit, mbi të gjitha në rast se kuqezinjtë nuk do të mund të kualifikohen në Champions League.

Në këtë situatë, kandidati kryesor për ta pasuar, sot për sot është Luis Campos, portugezi që mban postin e drejtorit sportiv të Lillës, një ekip që ka befasuar këtë sezon në Francë, ndërkohë që ka qenë po ky drejtues, ai që zbuloi talentin Kylian Mbappe.

Në rast se Campos vjen në Milano, atëherë mes kuqezinjve dhe klubit francez mund të lindë një aks merkatoje. Disa elementë të spikatur të Lillës, që ka siguruar “titullin” e nënkampionit të Francës këtë sezon kur ka mbetur për t’u luajtur edhe java e fundit, pavarësisht se kanë zhvilluar një supersezon, janë të moshës “së vonë”, gjithnjë duke folur për futbollin.

Por, janë edhe disa talentë të rinj si mbrojtësi i djathtë Celik, mesfushori Soumare dhe sulmuesi i krahut Bamba, emra që ndoshta mund të tentohen nga Milani në merkaton e kësaj vere.