Guvernatori Gent Sejko paralajmëron përgjysmim të rritjes ekonomike gjatë tre-mujorit  të tretë. Kriza politike e tejzgjatur politike ka prekur bizneset dhe rrezikon t’i godasë edhe në vazhdim

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko duke folur për situatën aktuale politike në vend, tha se kriza politike mund të godasë aktivitetin ekonomik. Në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare,  Sejko theksoi se ekonomia shqiptare do të ketë një rritje ekonomike më të moderuar gjatë viti 2019 e ndikuar kjo edhe prej krizës së tejzgjatur politike. Guvernatori pranoi se rritja ekonomike dhe bizneset mund të goditen nga mungesa e stabilitetit politik. Ndërsa përsa i përket zhvlerësimit të euros, Sejko u shpreh se aktualisht Banka e Shqipërisë nuk do të ndërhyjë në treg. Kriza e tejzgjatur politike në vend është kthyer në një shqetësim serioz për efektet negative në ekonomi. Guvernatori, gjatë konferencës deklaroi se rritja ekonomike do të jetë më e zbehtë gjatë 2019, ndërsa për tre muajt e parë shënoi një rritje vetëm me 2.21 %, niveli më i ulët që prej 2015. Sejko shtoi se, në Shqipëri është ulur niveli i papunësisë, ndërsa shtoi se paga mesatare ka njohur rritje me 4.9 për qind. “Punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje. Sipas INSTAT, niveli i papunësisë u ul, kurse paga mesatare është rritur me 4.9 për qind. Ambienti financiar paraqitet stabël. Kursimet gjithashtu kanë njohur rritje. Kredia me probleme ka trend rënie, kjo tregon se sektori i kredisë është më i stabilizuar. Zgjatja e mosmarrëveshjeve në politikë mund të bëjë që të ketë probleme në ekonomi. Këshilli Mbikëqyrës mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme për rastin, duke mbajtur të palëvizur normën e interesit. Kursi i këmbimit varet nga faktorë sezonalë”, tha Sejko ndër të tjera. Banka e Shqipërisë në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0% dhe gjithashtu, të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%.

Rritja ekonomike

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, lajmëroi se rritja ekonomike në tremujorin e dytë do të jetë e ngjashme edhe në tremujorin e dytë 2019. “Ngadalësimi i ritmit të rritjes erdhi kryesisht si pasojë e tkurrjes së prodhimit dhe eksportit të energjisë elektrike. Të dhënat e tërthorta të disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri të ngjashme dhe në tremujorin e dytë. Në terma të kërkesës agregate, rritja ekonomike vijon të mbështetet nga konsumi dhe investimet, ndërkohë që deficiti i shkëmbimeve tregtare me jashtë është zgjeruar dhe politika fiskale vijon të ruajë një kah konsolidues. Në tërësi, rritja ekonomike e vitit 2019 pritet të jetë më e ngadaltë se ajo e një viti më parë, duke pasqyruar goditjen e ofertës që vjen nga rënia e prodhimit të energjisë elektrike” tha Sejko dje në një konferencë për median menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes. Informacioni i ri i marrë në analizë ka qenë në kahun e poshtëm të pritjeve tona, tha Guvernatori. Ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet gjatë dy tremujorëve të parë, por me ritme më të ngadalta krahasuar me vitin e kaluar. Ai tha se, inflacioni vijon të mbetet nën objektiv, kryesisht si pasojë e efektit frenues që vazhdon të japë forcimi i shpejtë i kursit të këmbimit gjatë vitit të shkuar. Nga ana tjetër, kushtet monetare paraqiten stimuluese dhe aktiviteti kreditues ka shfaqur shenja rikuperimi. Parashikimet tona për të ardhmen nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme, ndonëse rreziqet e kahut të poshtëm janë rritur. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se qëndrimi aktual stimulues i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor afatmesëm. Në këndvështrimin makroekonomik, niveli nën objektiv i inflacionit vazhdon të pasqyrojë rritjen ende të ngadaltë të pagave dhe të kostove të prodhimit në ekonomi, inflacionin e ulët në partnerët tanë tregtarë, dhe efektin prapaveprues të forcimit të kursit të këmbimit gjatë vitit 2018.

Inflacioni

Duke u bazuar në trendet e observuara, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e brendshme dhe ato të importuara inflacioniste do të kthehen gradualisht në linjë me objektivin tonë të inflacionit gjatë dy viteve të ardhshme. Pavarësisht ngadalësimit të ritmit të rritjes, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje në tremujorin e parë. Sipas të dhënave të instat-it, norma e papunësisë zbriti në nivelin 12.1%, ndërsa paga mesatare shënoi një rritje vjetore prej 4.9%. Kjo ecuri krijon premisa për një rritje më të shpejtë të inflacionit të gjeneruar në vend, duke ndihmuar kthimin e inflacionit në objektiv. Politika monetare lehtësuese është harmonizuar me konsolidimin fiskal dhe ka krijuar një ambient financiar të karakterizuar nga norma të ulëta interesi, likuiditet i bollshëm, dhe prime rreziku në rënie. Stimuli monetar ka reduktuar kostot e financimit të sektorit privat, ka mbështetur rritjen e kreditimit, të konsumit dhe të investimeve, si dhe ka krijuar premisa për një ecuri të qetë të kursit të këmbimit. Ky i fundit, ka ndjekur një trend të lehtë mbiçmues gjatë tremujorit të dytë, duke qenë në linjë me sjelljen e tij sezonale. Megjithatë, të dhënat e tregtisë së jashtme dhe funksionimi i qetë i tregut valutor sugjerojnë se kohëzgjatja dhe intensiteti i forcimit të kursit të këmbimit do të mbeten të kufizuar. Për rrjedhojë, dhe efekti frenues i tij në inflacion do të vijë drejt reduktimit. Kushtet e favorshme të kreditimit janë përkthyer në rritje të qëndrueshme të kredisë për sektorin privat. E rregulluar për kreditë e nxjerra jashtë bilancit dhe kursin e këmbimit, kredia për sektorin privat ka shënuar një rritje vjetore prej rreth 6.7% në muajt prill e maj. Zgjerimi i portofolit të kredisë ka qenë më i balancuar, si në drejtim të strukturës së monedhave ashtu dhe në drejtim të destinacionit të saj, duke regjistruar zgjerim të portofolit si në kredinë për individë dhe në atë për biznese. Ndonëse e moderuar, rritja e kredisë për biznese është një sinjal pozitiv për përmirësimin e kërkesës dhe ofertës për kredi. Rikthimi i treguesit të kredisë me probleme në trend rënës, sikundër ilustrohet nga ulja e tij në nivelin 11.37% gjatë muajit maj, jep sinjale inkurajuese për përmirësimin e mëtejshëm të ambientit të kreditit dhe të bilanceve të sektorit bankar.