Tashkent, 12 prill – Nga 10 deri më 13 prill, në Tashkent të Uzbekistanit është duke u mbajtur Forumi i pesëmbëdhjetë për prokurim publik, integritet dhe transparencë për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, i organizuar nga Banka Botërore, BERZH, Banka Aziatike dhe Islamike për Zhvillim, BEI dhe OECD, në bashkëpunim me Qeverinë e vendit nikoqir.

Tema e Forumit të këtij viti është “Prokurimi dhe zbatimi i projekteve publike infrastrukturore”. Në këtë Forum marrin pjesë përfaqësues nga 24 vende, duke përfshirë këtu Byronë e Prokurimit Publik, që përfaqëson Republikën e Maqedonisë së Veriut e që këtë herë vendi në Tashkent përfaqësohet nga drejtori i Byrosë për prokurime publike z. Bardhyl Nasufi.

Forumi për herë të parë është mbajtur në vitin 2005 me iniciativën e Bankës Botërore dhe prej atëherë është shëndërruar në ngjarje vjetore që synon të promovojë bashkëpunim rajonal dhe botëror në fushën e prokurimit publik dhe mundësimin e shkëmbimit të përvojave mes pjesëmarrësve mbi tema të ndryshme nga fusha e prokurimit publik.

Ndryshe, Republika e Maqedonisë së Veriut ishte nikoqir i këtij Forumi në vitin 2013.