Dr Nertila Basha është një stomatologe e re por mjaft e përkushtuar ndaj profesionit të saj dhe kujdesit që tregon ndaj pacientëve. Qëllimi i saj kryesor është që pacientët të dalin të kënaqur nga klinika dhe duket se po ia arrin më së miri. Njihuni më shumë me stomatologen Nertila Basha!

 

-Dr Nertila përshëndetje! Ti je një stomatologe e re dhe e përkushtuar në punën tënde, por për një prezantim më të gjerë për lexuesit, kush është Nertila Basha?

-Përshëndetje! Unë jam një stomatologe e re në profesion por mjaft e përkushtuar dhe e kujdesshme ndaj pacientëve të mi dhe ndaj çdo përgjegjësie që marr në punë.

– A ka qene stomatologjia dega që doje gjithmonë të ndiqje në studimet e larta apo ishte si vijueshmëri e një drejtimi që u krijua me kalimin e kohës fakti që u bërë një stomatologe?

-Në fillim e mendoja por pa e ditur sesi është, e admiroja bluzën e bardhë dhe qëndrimin pastër të një dentisti. Më jepte përshtypjen e një profesioni të fisshëm për të ardhmen dhe në të vërtetë ashtu ndodhi pavarësisht se rrugës zbulova edhe vështirësitë që has një stomatologe e zonja.

– Sa interesante mund të jetë dita dhe jeta e një stomatologeje?

-Pyetje e bukur, në fakt dita ime e punës fillon në orën 9:00 kur hapet klinika dhe vazhdon intensivisht e ngarkuar por e bukur dhe e kënaqshme. Pastaj, po të flasim për presionin e punës është i madh nëse kërkon të shkosh drejt perfeksionit të gjërave që për të bërë në një ditë pune në klinikë. Mbyllja e ditës është e qetë dhe e realizuar më së miri.

– Nertila, mes sakrificave të profesionit dhe kënaqësisë që merr prej saj cila fiton?

-Të dyja janë në konkurencë me njëra-tjetrën por përderisa jam ende këtu dhe në këtë profesion kuptohet që fiton kënaqësia e të qenit stomatologe. Sakrificat harrohen kur dita mbyllet mirë.

– Çfarë shërbimesh kryhen në klinikën tuaj?

-Në klinikën tonë kryhen të gjitha shërbimet, terapi, kirurgji, ortodonci, implantologji, (porcelain, zircon, fasetat etje). Bashkëpunimi me doktorë profesionistë të fushave të ndryshme në stomatologji na jep mundësinë që pacienti të gjejë të gjitha shërbimet në klinikën tonë.

– Cilat janë problematikat më të mëdha që sjellin tek ju pacientët tuaj?

-Problematikat janë të shumta dhe të shumëllojshme. Për shtresa normale të shoqërisë shqetësim janë problemet gingivale (kjo si pasojë e mos mbajtjes në rregull të higjenës  orale,) ndoshta nga mosinformimi i duhur i pacientëve dhe për shtresë kërkuese të shoqërisë tani problem është estetika dhe i bën ata që të bëjnë çdo gjë që të arrijnë atë buzëqeshjen “hollivudiane”. Më vjen mirë që kemi arritur në këtë pikë ku jemi sepse në këto raste edhe kujdesi është më i madh për pacientin.

– Çfarë quan ti vlerësimin më të madh nga ky profesion që ke zgjedhur?

-Vlerësimi më i madh për mua është kur pacienti del i kënaqur nga klinika dhe që ndihet i lumtur që na ka zgjedhur ne për t’u kujdesur për të dhe më besoni këto raste janë të shumta.

– A ka diçka tjetër që duhet të dimë për punën tënde, marrëdhenie dhe shkëmbime eksperiencash me vende të tjera jashtë apo ndonjë vleresim që ke marrë nga profesionistë të tjetër për punën që bën?

-Patjetër që ka shumë për të ditur për ne sepse e gjithë jeta jonë në këtë profesion është eksperiencë në këtë profesion dhe çdo ditë duhet të azhornohemi me të rejat më të fundit si në vend ashtu edhe jashtë, si unë ashtu edhe kolegia ime Olta. Përveç Shqipërisë  kemi patur mundësinë që të shkëmbejmë eksperienca në Itali dhe Bruksel  e Gjermani dhe pacientë të këtyre vendeve që kanë zgjedhur klinikën tonë janë të shumtë dhe shumë të kënaqur.

-Nëse do duam të vijmë në klinikën tuaj ku ju gjejmë?

– Klinika jonë ndodhet në Babrru, tek rrethrrotullimi, pranë restorant Klas, kati  i parë.

– Së fundi, cilat janë këshillat që ju i jepni lexuesve për një kujdes më të mirë të dhëmbëve?

-Këshilla kryesore dhe më e rëndësishme është larja e dhëmbëve të paktën dy herë në ditë, në mëngjes dhe në darkë, vizitat çdo 6 muaj tek dentist dhe e fundit kam një lutje për të gjitha nënat që të kujdesen që fëmijët e tyre të mësohen  të lajnë dhëmbët që kur janë të vegjël kështu do kenë një kulturë mjaft të mirë për kujdesin e gojës së tyre edhe gjatë rritjes.