VMRO-DPMNE ka vërejtje thelbësore dhe serioze në lidhje me propozim ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe jo ashtu siç ka deklaruar kryeministri Zaev dje, se vërejtjet tona nuk janë shumë thelbësore, u shpreh deputeti i VMRO-DPME-së Ilija Dimovski. Për VMRO-në regjistrim i suksesshëm, pozitiv kredibil do të jetë vetëm regjistrimi i kryer në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe standardeve të Eurostat. VMRO-DPMNE kërkon që regjistrimi të anulohet dhe të mbahet në vitin 2021, që vendi të ketë kohë të mjaftueshme të përgatitet plotësisht për regjistrim. Dimovski shpalli disa nga vërejtjet konkrete të cilat sot do t’i diskutojë me drejtorin e Entit Shtetëror për Statistika, ndërsa në ora 14 do të kenë takim grupet e punës nga VMRO me drejtorin e Entit Shtetëror për Statistikë.

“Kërkojmë që të definohet diçka që nuk është definuar me ligjin – Çfarë është popullatë rezidente në Republikën e Maqedonisë? Këtu nuk ofrojmë interpretime apo definicione tona por kërkojmë të zbatohen definicionet e BE-së dhe Eurostat-it, njëjtë si zbatohen në të gjitha vendet e BE-së. Gjithashtu kërkojmë diçka që nuk është paraparë fare me ligj, për fat të keq, që për ne është shumë e çuditshme – Regjistrimi i popullsisë të bëhet në bazë të dokumenteve relevante dhe të caktuara saktë”, tha Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.