Adriatik Bejko ose siç e njohin në zonën e Korçës Tiku, është djali që jetën e tij ia ka kushtuar muzikës. Instrumentist dhe këngëtar mjaft i talentuar Tiku ka disa klipë në treg mes të cilave edhe “Dasmat tona” klip të cilin edhe vetë ai e konsideron si më të pëlqyerin nga publiku. Lexoni intervistën që kemi përgatitur me të…!

 

-Adriatik, ti ke shumë kohë që merresh me muzikë apo jo? Na trego diçka më shumë…!

-Përshëndetje!  Unë kam 16 vjet që merrem me muzikë, jam këngëtar dhe instrumentist, pjesë e grupit tim “Djemtë e Kolonjës”.  Kam studiuar në Liceun “Tefta Tashko”, kam marrë pjesë në shumë aktivitete muzikore në Korçë dhe në Ersekë. Muzikën e kam të trashëguar paksa nga babai.

– Sigurisht që edhe e ke konkretizuar me klipe apo jo?

-Po, po kam katër të tilla dhe do sjell edhe dy të reja shumë shpejt.

-Cili prej tyre është pritur më mirë?

-Klipi që është pritur më mirë është “Dasmat tona” që është bërë pjesë e dasmave të zonës time dhe jo vetëm. Gjithashtu edhe kënga e Ylli Bakës “Kur kaloj nga Korça” në të cilin unë interpretoj me klarinetë është pëlqyer shumë.

-Ke disa këngë të tuat, mendon ti përmbledhësh në një album?

– Po e kam në mendje një gjë të tillë, pasi të nxjerr edhe klipet e reja.

-Mendon se kjo çështja e albumeve del pak jashtë mode duke qenë se tani mund të shkarkosh gjithçka nga interneti?

Mendoj se koha e albumeve nuk ikën asnjëherë sepse jot ë gjithë janë të lidhur ngushtë me internetin. Kam plot miq e shokë që më kërkojnë albumin të dëgjojnë këngët e mia dhe shumë shpejt do realizohet një gjë e tillë.

– Ti je edhe prind i një djali të vogël apo jo? Si duket ka ndonjë lidhje me muzikën djali?

-Po është shumë i  lidhur, madje madje e shikoj që e ndjen muzikën shumë sepse dëgjon shumë muzikë.

– Ti do doje që djali të ishtë një këngëtar apo muzikant në të ardhmen apo do e lije të zgjidhte vetë profesionin e tij?

-Unë shoh që është shumë afër me muzikën dhe do doja që në të ardhmen të ishte një këngëtar ose një pianist, por edhe nëse nuk do bëhet këngëtar të paktën të dijë pianon për kulturë.

– Kur e kupton që një punë është vërtet e mirë?

– Sado që të të pëlqejë diçka që në momentin e parë dhe unë, zakonisht, e kam nuhatjen për suksesin e një kënge, prapë fjala e fundit i takon publikut. Publiku është pasqyra jonë.

Cilat konsideron si sukseset e tua më të mëdha në jetë?

– Besoj se suksesi më i madh i çdonjërit dhe i imi është shëndeti dhe familja e shëndetshme. Sukseset e tjera shkojnë dhe vijnë.

Tri fjalët që të përshkruajnë më mirë?

– Kam disa cilësi që besoj se i kam të mira: vërtetësia, korrektësia dhe të qenit i drejtpërdrejtë me këdo.

Për çfarë do të doje të mbaheshe mend?

– Për atë që jam.

– Cili është vendi që zë muzika në jetën tënde? Sa e rëndësishme është ajo për ty?

– Kënga për mua është gjithçka, më jep jetë dhe frymëzim që të jetoj. Është motiv jete.

– Për disa, muzika është pasion, ndërsa për disa të tjerë profesion. Për ty, çfarë është?

– Muzika për mua ka qenë një pasion shumë i madh, por me kalimin e viteve është kthyer edhe në profesion. Muzika është jetë.

– Cila është mbështetja jote më e madhe?

– Mbështetja ime është familja dhe publiku, që dua t’i falënderoj sepse më bëjnë të ndihem kaq mirë!

– Ndonjë gjë për të shtuar? Harruam gjë?

Na ka ngelur ende shumë për të thënë, por do të takohemi përsëri, pasi të nxjerrim këngët e reja për publikun. Respekte!